Letra e motivimit ju ndihmon në kontaktin e parë me kompaninë dhe ka si qëllim të kapë vëmendjen e seleksionuesit. Për këtë qëllim, pikat e forta duhet të jenë entusiazmi dhe thjeshtësia, sepse do t’i takojë CV-së të japë, më vonë, një përmbledhje të eksperiencave tuaja shkollore dhe profesionale.
Mos harroni se keni vetëm një rast për të lënë një përshtypje të parë të mirë.
Pa qenë nevoja që të bëni një përmbledhje të CV-së që keni dërguar bashkangjitur, ju sugjerojmë të shfrytëzoni këtë rast për të qartësuar, në pak rreshta, kompetencat dhe tiparet dominuese të karakterit tuaj.
Mos harroni se letra e motivimit nuk duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, por duhet të personalizohet me specifika dhe karakteristika që mund t’i interesojnë kompanisë në të cilën po aplikoni.
*Struktura*
– Mund t’i referoheni njoftimit dhe pozicionit për të cilin keni aplikuar.
P.sh.: I/E nderuar…, ju lutem pranoni aplikimin tim në lidhje me pozicionin e…
– Prezantim i shkurtër personal, duke përmendur titullin e studimit.
– Arsyet pse po aplikoni. Nëse jeni veçanërisht i interesuar për këtë pozicion duhet ta thoni. P.sh.: Ajo çfarë më shtyu të aplikoj për këtë pozicion ishte…
– Përparësitë tuaja dhe karakteristikat personale
*Origjinaliteti*
Të jini origjinal nuk do të thotë të jini qesharakë.
Duke qenë se duhet të kapni vëmendjen e atij që lexon, mos shtoni karakteristika banale. Mund të përshkruani, për shembull, eksperienca të mundshme udhëtimi që kanë pasuruar bagazhin tuaj kulturor dhe profesional, duke nxjerrë në pah aftësitë tuaja të përshtatjes.
*Gënjeshtrat*
Mos shkruani gënjeshtra (ose të paktën jo gënjeshtra të mëdha), që mund të dalin në pah menjëherë gjatë intervistës.
*Sintezë*
Mos mendoni thjesht të përsërisni CV-në.
Zakonisht, letra e motivimit lexohet para CV-së. Pra, ajo duhet të shtojë kuriozitetin e rekrutuesit.
Përmendni në mënyrë sintetike elementët më të rëndësishëm të CV-së tuaj: studimet, eksperiencën më të rëndësishme të punës etj. Këto janë elementet e vetme te CV-së që duhet t’i shtoni letrës së motivimit. Pjesa tjetër duhet të ketë lidhje me personalitetin tuaj.
*Forma*
– Tregohuni të thjeshtë. Shkruani mirë, por duke përdorur një formë shkrimi të thjeshtë dhe të qartë. Mos përdorni fjalë arkaike apo dialektore.
– Bëni kujdes me gabimet gramatikore ose ortografike. Nëse keni dyshime, përdorni një fjalor apo bëni një kërkim të shkurtër online.
– Paraqitja. Ndajeni letrën në 4-5 paragrafë të shkurtër, sepse një tekst pa nderprerje mund të ngjajë jo i rregullt dhe është i vështirë për t’u lexuar. Rreshtat ndajini nga njëri tjetri me hapësirë 1,5.
– Shkrimi. Mos përdorni shkrimet e çuditshme, zgjidhni më mirë klasikët Times New Roman, Arial, Verdana, Calibri o Cambria.