Pa dështim nuk ka sukses. Si të përballoni frikën ndaj dështimit?

Pasi diskutuam në artikullin e mëparshëm mbi “Si mund të përfitoni nga dështimi?” , sot duam t’ju ndihmojmë me disa këshilla për përballjen e frikës ndaj dështimit.

Mundësia për të mos qenë i suksesshëm shpesh na mban larg nga arritja e qëllimeve tona më të dëshiruara. Por, me pak punë ju mund të mposhtni frikën tuaj nga dështimi duke e shndërruar atë në motivim.

Le ti referohemi kësaj këshille motivuese nga “Thomas Watson:

“Do të donit t’ju jepja një formulë për suksesin?

Është e thjeshtë. Dyfishoni normën e dështimit. Po e mendoni dështimin si armikun e suksesit, por nuk është aspak kështu. Ju mund të dekurajoheni nga dështimi apo të mësoni nga ai. Kështu që vazhdoni të bëni gabime. Bëni gjithçka mundeni. Sepse mbani mend, aty do të mund të gjeni suksesin. Në anën e largët të dështimit.”

Si mund të përballoni frikën ndaj dështimit me disa mënyra të thjeshta?

Mendoni pak:

  • Pse keni kaq frikë të dështoni?

Kemi frikë nga dështimi për shkak të asaj që shkakton: zhgënjim, poshtërim dhe turp. Dështimi shpesh është i lidhur me skenarin e rastit më të keq që ne imagjinojmë të ndodhë si pasojë e veprimeve tona.

Për shembull, nëse ju ofrohet një promovim, por nuk jeni të sigurt se aftësitë tuaja dhe njohuritë tuaja garantojnë suksesin tuaj, mund të imagjinoni se dështimi juaj është i pashmangshëm dhe do të rezultojë në humbjen e punës tuaj. Si pasojë, ju hiqni dorë nga puna. Zakonisht njerëzit kanë tendencë të heqin dorë nga mundësitë për shkak të frikës së tyre për dështim.

  • Përballuni me frikën tuaj

Në përditshmërinë tonë, jemi mësuar të flasim negativisht për dështimin, por mendoni pak po sikur të mos e bënim?

Në vend që ta shihni dështimin si rrugën për pasoja dhe vështirësi të padëshirueshme, ajo që sugjerohet është të shihet dështimi si mësim. Në të vërtetë, kjo është mjaft e dobishme. Sa më shumë t’a shihni dështimin si një mundësi mësimi, aq më pak e frikshme duket mundësia për të dështuar.

Kur e ndjeni atë frikë të vërshojë, gjëja më e mirë që mund të bëni është të përballeni me të:

  1. Para se të merrni ndonjë vendim, bëni një hap prapa dhe pyesni veten se për çfarë saktësisht keni frikë. Cili është skenari i rastit më të keq që ju imagjinoni?
  2. Pasi të keni pranuar frikën tuaj dhe të keni identifikuar rastin më të keq, pyesni veten nëse skenari juaj i makthit bazohet në fakte apo ndjenja?
  3. Eshtë koha të shqyrtoni mendimet tuaja dhe të përqendroheni në ato që dini se janë të vërteta.
  • Koha për të menduar

Le të supozojmë se skenari i rastit tuaj më të keq është që ju jeni promovuar për pozicionin e punës si menaxher, por ju rezultoni të jeni udhëheqësi më i paaftë që organizata juaj ka parë ndonjëherë. Si rezultat, pushoheni nga puna, humbni rrogën dhe përfitimet tuaja dhe e keni të vështirë të gjeni një punë tjetër.

Sidoqoftë, kur i mendoni thellë ndjenjat tuaja, kuptoni se e gjithë situata juaj e pasigurisë apo makthit bazohet kryesisht në ndjenja, pra pasiguri mbi gatishmërinë tuaj për këtë promovim dhe frikë nga gabimi.

  • Edhe nëse rrëzoheni mund të ngriheni sërish

Edhe nëse dështoni, është e rëndësishme të frymëzoheni për të patur sukses dhe të kuptoni se nuk është fundi i botës. Dështimi i vërtetë do të ishte nëse nuk mësoni asgjë nga përvoja juaj. Askush nuk pret që të jeni perfekt, por ajo që pritet është të mësoni nga dështimi dhe të gjeni zgjidhje kur një projekt nuk shkon siç është planifikuar.

  • Vendoseni dëshirën për të patur sukses të parën

Ju duhet të kuptoni se frika e dështimit qëndron te ju. Prandaj, mos e lini frikën e dështimit të jetë më e madhe se dëshira për të patur sukses .Sa më shumë rritet frika juaj për dështim, aq më e vështirë bëhet për ju të mposhtni pasiguritë. Dhe kjo nuk do të prodhojë asnjëherë rezultatet tuaja të dëshiruara.

Dhe mos harroni!

Kur ju të përballeni më një prej frikërave tuaja më të mëdha, ju do të kuptoni se ajo nuk ishte edhe aq e madhe, apo aq e papërballueshme sa e kishit imagjinuar përpara se të përballeshit më të.

 

“Miku juaj për punë dhe karrierë” duapune.com

Përshtatur nga Xhenisa Sulaj

Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu: https://www.idealist.org/en/careers/fear-of-failure

Related Posts
Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *